Projekti i Mabetex – Një kërcënim i heshtur për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

Shoqëria civile kërkon parandalimin e shkatërrimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta nga projekti urbanizues me qëllim turizmin masiv

Tiranë, datë 9 Nëntor 2017
.
 Në një forum të dedikuar diskutimit mbi ndikimet negative në mjedis të investimit urbanizues të Mabetex Group në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, informoi publikun mbi kërcënimin që paraqet zbatimi i këtij projekti në një ligatinave më të mëdha e më të rëndësishme në Mesdhe dhe një prej territoreve më të ruajtura në Shqipëri.

Në mars 2017, kompania Mabetex Group ka prezantuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik brenda Parkut Kombëtar i cili është kundërshtuar që në fillim nga shoqëria civile.

“Urbanizimi i propozuar në formën e Master Plani ‘Divjakë Resort Albania’ dhe i propozuar nga Kompania Mabetex Group pranë autoriteteve shqiptare është me pasoja shkatërruese ku dominon turizmi masiv, ndërtimet shumë-katëshe, erozioni detar dhe degradimi i shërbimeve ekologjike të këtij ekosistemi natyror. Projekti shoqërohet me humbje tëhabitateve natyrore, humbje të specieve simbol si Pelikani kaçurrel, degradim tëqëndrueshmërisë ekonomike tëgjithë zonës së Divjakës. Projekti shkel me dy këmbët kuadrin tonë ligjor dhe konventat e nënshkrura nga shteti shqiptar. Ky projekt është i paparanueshëm dhe duhet ndalur një orë e më parë!” tha Prof. Taulant Bino nga AOS (Shoqata Onitologjike e Shqipërisë).

Projekti i ndërtimit synon zënien dhe tjetërsimin e 10% të territorit të Parkut, ndërkohë që infrastruktura shoqëruese, mbështetëse (rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, dallgëthyes. etj) do të ndikojë negativisht në gjithë sipërfaqen e tij. “Nëse ky projekt zbatohet siç është dizenjuar, do të sjellë ndryshime të pakthyeshme të ekosistemit, do të cënojë rëndë integritetin ekologjik të parkut dhe zonës Ramsar Divjakë-Karavasta”, tha Prof. Ferdinand Bego, ekspert i faunës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

I shtrirë në 12 km vijë bregdetare projekti parashikon ndërtimin e 2400 apartamenteve, 370 vilave, një resorti turistik prej 90 ha me kapacitet maksimal 18,000 turistë/ditë. “Gjithë këto ndërtime në PK Divjakë-Karavasta do të ndryshojnë tërësisht ekosistemet ujore të lagunës duke çuar në uljen e cilësisë së ujërave dhe duke shkaktuar prishjen e shumë ekuilibrave të popullatave të gjallesave që jetojnë në lagunë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet garantojë mbrojtjen e Parkut Kombëtar Natyror dhe të mos lejojë që një investim privat të cënojë integritetin e tij duke lejuar shndërrimin në një qytet të ri turistik”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Informacion shtesë:
Ky forum organizohet si pjesë e fushatës ndërgjegjësuese «Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta», të ndërmarrë nga një grup organizatash kombëtare (AOS, EcoAlbania, LexFerenda dhe Pseda-Iliria) e cila mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Ky është forumi i parë publik që koalicioni i shoqërisë civile organizon për të ndërgjegjësuar publikun mbi ndikimet negative të projektit urbanizues në PK Divajkë-Karavasta i cili dotë pasohet me 2 forume të tjera.

Gjeni këtu Spotin ndërgjegjësues të prodhuar në kuadër të fushatës «Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta».