Listat e plota konsiderohen si “grali i shenjtë” i portaleve të shpendëve në internet, pasi ato sigurojnë të dhëna më cilësore se sa vrojtimet e rastësishme. A e dini se duke raportuar të gjithë shpendët që ju mund të identifikoni përmes pamjes apo këngës gjatë një shëtitjeje, ju mund të kontribuoni në mënyrë direkte në projekte si EBBA2 Live Farmland (portal për prodhimin e hartave të shpërndarjes për shpendë të tokave bujqësore dhe kullotave), BirdFlu Radar (portal që vlerëson dhe parashikon përhapjen e gripit të shpendëve përmes modeleve statistikore), atlase kombëtare, si dhe në prodhimin e hartave fenologjike?
Fillimisht, do të prezantojmë disa pika kryesore se si ju mund të filloni të regjistroni lista të plota. Praktikisht, çdo listë e plotë nis me qëllimin e vrojtuesit për të regjistruar të gjithë shpendët që mund të shohë ose dëgjojë në një vend dhe kohë të caktuar, pa përjashtuar qëllimisht asnjë specie. Mos u dekurajoni nga fakti që, nëse jeni duke regjistruar një listë të plotë, disa specie që ju prisni t’i hasni në një zonë apo kohë të caktuar nuk gjenden aty. Është e rëndësishme të mbani mend që, edhe vrojtuesit më me eksperiencë, rrallë herë mund t’i hasin të gjitha speciet e pranishme në një zonë apo kohë të caktuar (p.sh. disa shpendë mund të jenë tërësisht të fshehur dhe të mos bëjnë asnjë lloj zhurme), prandaj është më se normale që listat e plota të mos përfshijnë të gjitha speciet e pranishme në një vend të caktuar. Duke pasur parasysh këtë gjë, vlen të theksohet se regjistimi i listave të plota kërkon pak më shumë vëmendje se vrojtimet e rastësishme, këto të fundit mund të kryhen kudo dhe në çdo kohë (p.sh. duke vrojtuar rastësisht nga një dritare apo nga makina gjatë vozitjes, etj.).
Pse duhet që ju t’u kushtoni pak më shumë rëndësi listave të plota? Duke regjistruar lista të plota, ju nuk siguroni informacion për speciet që janë prezente, por edhe për ato që mungojnë, një informacion i tejet i rëndësishëm ky që nuk mund të sigurohet përmes vrojtimeve rastësore. Ky lloj informacioni mund të kontribuojë në analiza të ndryshme për projekte të ndryshme shkencore apo konservimi. Momentalisht, ky lloj informacioni mund të përdoret në nivel Evropian për projektet EBBA2 Live Farmland dhe BirdFlu Radar. Gjithashtu, këto lloj të dhënash përdoren gjerësisht në nivel kombëtar për prodhimin e hartave të prezencës në projekte të atlaseve kombëtare. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, listat e plota mundësojnë prodhimin e grafikëve fenologjikë, të tillë si grafikët në SEE List, të cilët ofrojnë informacion me mjaft interes për vrojtuesit e shpendëve.
Pra, ju mund t’i shtoni shumë më tepër vlerë vrojtimeve tuaja duke regjistruar lista të plota dhe, përmes tyre, të kontribuoni në kërkim shkencor dhe nisma konservuese aktuale dhe në të ardhmen.
Disa këshilla të thjeshta që çdo vrojtues mund t’i ndjeki për t’u dhënë sa më shumë vlerë listave të tyre:
- Mos lëvizni më shumë se 1km (sa më e madhe të jetë distanca që përshkoni, aq më pak të vlefshme janë të dhënat). Nëse jeni duke bërë një ecje të gjatë, regjistroni lista të plota vetëm në disa segmente të shkurtra (≤ 1km) përgjatë zonës që do të përshkoni.
- Kohëzgjatja e regjistrimit të listës nuk duhet të jetë më shumë se 1 orë (maksimumi 2 orë). Si rregull i përgjithshëm, sa më e shkurtër koha dhe distanca, aq më të vlefshme janë të dhënat.
- Vendosni gjthmonë numrin e individëve të vrojtuar, edhe nëse është një shifër e përafruar. Gjithmonë, është më mirë që të vendosësh një shifër të përafruar se sa të tregosh vetëm prezencën e një specieje.
- Gjithmonë regjistroni transektin apo pikën e vrojtimit përmes GPS-it!
- Mbani shënim çdo lloj shenje folezimi.
Këshilla për fillestarë
- Filloni të bëni lista të plota në vende me më pak lloje shpendësh, të cilët i njihni mirë (p.sh. në kopshtin tuaj).
- Regjistroni listat për një kohë të shkurtër (p.sh. 15-30 minuta).