Çfarë mund të na tregojnë listat e plota të regjistrimit të shpendëve për shpendët këtë dimër në Evropën Jug-lindore?

Informacioni që vjen prej listave të plota përdoret për analiza të dhënash të ndryshme si dhe për të prodhuar harta shpërhapjeje apo grafikë fenologjikë. Këta të fundit tregojnë dendësinë e popullatës së një shpendi të caktuar në një vend të caktuar të shtrirë në kohë. Analiza e këtyre grafikëve na ndihmon të kuptojmë fenomene dhe cikle të ndryshme në lidhje me shpendët, si p.sh. ciklet e shtegtimit, ndikimi i ndryshimeve klimatike në periudhën e folezimit apo gjatë shtegtimit, ndryshimet sezonale në numrin e specieve, etj.

Më poshtë përshkruen dy shembuj aktualë të grafikëve fenologjikë të cërlës dimërake  dhe rosës kërre:

Cërla dimërake (Spinus spinus)

Cërlën dimërake mund ta hasni shpesh në periudhën e dimrit pranë zonave urbane, si p.sh. në parqe periferike (siç është Parku i Madh i Liqenit në Tiranë) apo edhe në kopshtin e shtëpisë suaj. Megjithatë, në varësi të kushteve të motit dhe sasisë së prodhimit të farave në pyjet koniferë, popullatat e cërlës dimërake shpesh pësojnë luhatje.

Si është situata e cërlës dimërake këtë dimër në Evropën Jug-lindore? Deri tani, shkalla e raportimit (% e lsitave të plota që përmbajnë këtë specie) për cërlën është nën mesataren historike, si dhe nën shkallën e raporimit të dimrit të shkuar (i cili ishtë një sezon mjaft i mirë për këtë specie). Në këtë përfundim ne mund të dalim vetëm duke pasur të dhëna nga listat e plota, të cilat sigurojnë informacion cilësor për të studiuar fenologjinë e një specieje.

Grafiku fenologjik i cërlës dimërake (Spinus spinus)

 

Rosa kërre (Anas creca)

Ndoshta mund ta keni hasur këtë rosë trupvogël gjatë Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit Dimërues, që u zhvillua pak ditë më parë, ose gjatë një shëtitjeje pranë një ligatine. Në grafikun fenologjik të rosës kërre, i krijuar nga të dhënat e listave të plota në Evropën Jug-lindore, vihet re që trendi i këtij viti është i ngjashëm me të viteve të tjerë.

Grafiku fenologjik i rosës kërre (Anas creca)

 

Fatkeqësisht, në Evropën Jug-lindore, shkalla e regjistrimit dhe raportimit të listave të plota mbetet e ulët. Nëse po planifikoni një udhëtim pranë një ligatine këtë fundjavë, ju mund të kontribuoni në Sfidën e Listave të Plota të Regjistrimit të Shpendëve duke regjistruar të gjitha speciet e shpendëve që vrojtoni. Listat e plota ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së të dhënave, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë trendet fenologjike të shpendëve. Kjo sfidë do të zhvillohet këtë fundjavë (1-2 shkurt), në Ballkan dhe vende të tjera të Evropës Jug-lindore, në kuadër të Ditës Botërore të Ligatinave. Por listat e plota janë të vlefshme gjatë gjithë vitit, prandaj mos hezitoni të regjistroni lista të plota kur ju jepet mundësia!

Për të marrë të dhëna mbi fenologjinë e specieve të tjera në Evropën Jug-lindore, mund të vizitoni një faqe web-i të krijuar enkas për këtë rajon nga Euro Bird Portal (EPB): SEE Lists.