Thirrje për shprehje  interesi  për pjesëmarrje në “Trainim për Guida Turistike Birdwatching & Wildlife”
AOS ka kënaqësinë të shpërndajë këtë thirrje për pjesëmarrjë në kursin “Trainim për Guida Turistike Birdwatching & Wildlife”. Kursi i trainimit do të zhvillohet në datat 21-26 Shtator dhe ai do të zgjasë 6 (gjashtë) ditë prej të cilave tre ditë trainim teorik dhe tre ditë trainim praktik në terren.
Ky trainim zhvillohet në kuadër të projektit “4 Sy për Natyrën” të financuar nga Partners for Change Albania në kuadër të konkursit “Ide të Gjelbra 2015”
Projekti “4 sy për natyrën” ka për qëllim të nxisë ekoturizmin “birdwatching” në disa zona malore dhe bregdetare të Shqipërisë nëpërmjet ofrimit të BW në trajtën e një pakete turistike të gjelbër që do të ndërtohet dhe zbatohet nga vetë AOS.
Projekti do të:

  • Përcaktojë itineraret e para BW në disa zona të rëndësishme për shpendët në Shqipëri,
  • Formojë një grup guidash profesionale, pjesë e stafit të ardhshëm AOS, për udhëheqjen e grupeve të turistëve birdwatching si dhe
  • Do të organizojë turet e para BW në Shqipëri.

Trainimi do të kryhet nga AOS dhe do të zhvillohet nga stafi ynë, nga profesionistë me përvojë të studimit të shpendëve dhe nga trainierë të provuar për guidat natyrore.
Me përfundimin e këtij trainimi, forcimi i kapaciteteve do të vijojë më tej gjatë përcaktimit në terren të itinerareve Birdwatching & Wildlife. Kjo pjesë e dytë e trainimit do të financohet nga projekti Risi Albania në kuadër të “Zhvillimit të Turizmit Natyror në Rajonin e Shkodrës”.
Duke qenë se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar vetëm në 12 persona, AOS do të kryejë fillimisht përzgjedhjen e aplikantëve. Individët e përzgjedhur që do të jenë dhe pjesë e trainimit intensiv me qëllim përgatitjen tërësore të tyre për të udhëhequr grupet birdwatching në terren.
Të interesuarit duhet të dërgojnë, brenda datës 28 Gusht 2015, në adresën aos@aos-al.org

  • Kërkesën për pjesëmarrje shoqëruar me CV të aplikantes/aplikantit

Duke qenë se niveli i trainimit pritet të jetë intensiv është e domosdoshme që aplikantët të zotërojnë njohuri bazë në fushën e biologjisë dhe të studimit të shpendëve të egër. AOS inkurajon aplikimin e studentëve të Biologjisë të nivelit Bachelor dhe Master si dhe të fushave të tjera të aplikuara të mbrojtjes së natyrës. Vlerë e shtuar në këtë aplikim do të jetë dhe pjesëmarrja paraprake në grupimet e guidave natyrore të zhvilluara nga opëratorë të ndryshëm turistikë në Shqipëri.
Aplikantët e përzgjedhur do të njoftohen brenda datës 1 Shtator 2015 për një intervistë të shkurtër në bazë të së cilës do të bëhet dhe përcaktimi përfundimtar i pjesëmarrësve.

Share This