Më 11 dhjetor 2017, shoqëria civile së bashku me komunitetin shkencor, përfaqësues të OJF-ve mjedisore kombëtare e ndërkombëtare dhe aktivistë u mblodhën në forumin e III “Nevoja për Veprime Sinergjike në Mbrojtjen e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta nga Urbanizimi”. Ky forum me focus Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta solli në qëndër të vëmëndjes nevojën urgjente për tu angazhuar në mbrojtje të Parqeve Kombëtare në Shqipëri. Ligji i Zonave të Mbrojtura sot po shënon shkelje të vazhdueshme nën ombrellën e nevojës për zhvillim, duke cënuar statusin e pasurisë tonë të përbashkët kombëtare.
Gjergj Buxhuku (Konfindustria) “Roli i shtetit duhet të jetë vendimtar në çdo projekt zhvillimor të paraqitur, sidomos kur bëhet fjalë për Zona të Mbrojtura. Në raste të tilla, shteti nuk duhet të funksionojë vetëm si pranues propozimesh nga investues të mëdhenj, por duhet të marrë edhe rolin e realizuesit të studimeve.”
Valbona Kuko (LevizAlbania) “Leviz Albania ka siguruar mbështetje të vazhdueshme për kauzat mjedisore dhe së fundmi të PK Divjakë-Karavasta. Është shumë i rëndësishëm instrumenti i advokimit dhe lobimit me nivelet vendore, qëndrore të vendim-marrjes dhe instancat e strukturat për të arritur objektivat .”
Deborah Kern (Ambasada Zvicerane në Shqipëri) “Ky është një diskutim i rëndësishëm për demokracinë dhe pjesëmarrjen vendore. Është inkurajues fakti që kjo kauzë ndiqet dhe zbatohet nga një grupim shoqatashh sepse koalicioni rrit qëndrueshmërinë e nismës. Po kështu është për t’u përshëndetur pjesëmarrja rinore në këtë forum si tregues i pjekjes së shoqërisë shqiptare dhe qëndrueshmërisë së kauzave mjedisore.”
Mihallaq Qirjo (REC Shqipëri) “Një Zonë e Mbrojtur duhet t’i shërbejë komuniteteve me modele zhvillimi jo agresive, pasi në të kundërt kostot e një vendim-marrje të tillë ose do ti mbartim gjithmonë ose do të jenë shumë të shtrenjta për ti zhbërë, nësë për dikë ndërgjegjësimi do të jetë i vonuar.”
Borut Rubinic (DOPPS BirdLife Slovenia & CEPF) “Parku-Kombëtar Divjakë-Karavasta ka një rëndësi të jashtëzakonshme për popullatat globale të shumë gjallesave. Sidomos per disa shpendë shtegtare të cilët gjenden këtu me rreth 1.8% të popullatës botërore. Kjo shifër është e jashtëzakonshme për një sipërfaqe kaq të vogël. Integrimi i Shqipërisë në BE kërkon domosdoshmërisht ruajtjen e Parkut nga urbanizimi dhe shkatërrimi.”
Jovana Janusevic (CZIP) “Synimi për të urbanizuar PKDK është i ngjashëm me rastin e Kripores së Ulqinit, të cilën kemi arritur deri më sot ta mbrojnë nëpërmjet një fushatë të fortë advokacie, partneritetit ndërkombëtar, presionit nëpërmjet BE-së, aleancës me mediat, promovimit të vlerave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtare. Kjo është dhe këshilla jonë për kolegët shqiptare.”
​Sajmir Hoxha (NOE Conservation) “Në tre vitet e fundit, Parku Kombëtar është mbështetur nga Noe Conservation në mbrojtje të Pelikanit kacurrel dhe të gjithë ekosistemit. Në sajë të punës së Noe dhe partnerëve shqiptare, numri i pelikanëve është thuajse trefishuar. Nga 19 cifte në vitet 2000 sot në Divjakë folezojnë 52 cifte. Kjo është e vetmja koloni e pelikanit në Shqipëri dhe duhet mbrojtur nga cdo ndërhyrje urbanizuese.”
Catherine Bohne (Toka) “Qeveria është është hallka e parë e cila mund të ndalojë nisma të tilla, së dyti të ndiqen rrugët adiministraive për të ankimuar cështjen, dhe paralelisht të punohet me ndërgjegjësimin e komunitetit dhe shoqërisë civile për impaktet negative që sjellin investime të tilla. Revolucioni është zgjidhja e fundit, ku të gjithë ngrihemi e bëhemi bashkë për një ideal e qëllim.”
Ervin Goci (Aktivist ) “Sot po shkelen një sërë ligjesh: Ligji për Zonat e Mbrojtura, Ligji për Mbrotjen e Mjedisit, Ligji për Lejet e Mjedisit, Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligji për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Ligji për Mbrotjen e Biodiversitetit. Ministria e Mjedisit nuk duhet të ketë vëtëm rol spektatori në rastin e Divjakë-Karavastasë, por duhet të garantojë zbatimin e të gjithë procesit adminstrativ në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe të garantojë respektimin e konventave të ratifikuara nga Shqipëria. “
Taulant Bino (AOS) “Edhe pse mbetet një projekt i pa miratuar ende, shoqëria civile është angazhuar për ta ndaluar këtë projekt në kohë, duke e kundërshtuar atë me të gjitha format demokratike. “Ne kemi ndjekur hap-pas hapi të gjitha informimet dhe konsultimet publike të zhvilluara nga kompania dhe vendim-marrësit, pavarësisht njoftimit të vonë i cili nuk na ka lëne kohën e mjaftueshme për konsultimin e materialeve. Megjithatë ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në lidhje me statusin e këtij projekti.”
Ky forum organizohet si pjesë e fushatës ndërgjegjësuese “Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, e cila mbështetet nga Leviz Albania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Share This