Gjyqtarja Blerona Hasa u jep një leksion kolegëve, shtetit dhe publikut për çështjen e Aeroportit të Vlorës: Një shembull i mbrojtjes së interesit publik për një zhvillim të qendrueshëm

Pas nisjes së punimeve të Aeroportit të Vlorës më 28.12.2021, dy organizata mjedisore në Shqipëri, përfshirë “Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë – AOS”, me mbrojtje nga Studio ligjore “Meçi” dhe qendra “Res Publica” iu drejtuan Gjykatës Administrative të Apelit me kërkesën për pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës për shkak të dëmeve të rënda në mjedisin natyror të zonës së Nartës dhe ndikimet në Parkun Kombëtar Vjosë.

Kërkesa e organizatave argumentoi mundësinë serioze të një dëmi të menjëhershëm, të rëndë e të pariparueshëm nëse punimet për aeroportin do të vazhdojnë. Deri më sot është përfunduar përgatitja për truallin e pistës prej 3.2 Km. Një pjesë e habitateve bimore janë dëmtuar tashmë, ndërkohë që punimet po rrezikojnë seriozisht mjedisin në lagunën e Nartës, e cila është një zonë e mbrojtur me rëndësi ndërkombëtare për shumë specie, përfshirë edhe specie të rrezikuara.

Kërkesa e organizatave është shoqëruar me një rekomandim serioz të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, të datës 5 Dhjetor 2023, dhe Parlamentit Europian, që kërkojnë nga qeveria shqiptare pezullimin e mënjehershëm të ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Me gjithë faktet e parashtruara, Gjykata Administrative e Apelit me shumicë votash vendosi refuzimin e kërkesës së organizatave. Megjithatë, ky vendim u kundërshtua nga gjyqtarja Blerona Hasa. Gjyqtarja Hasa vlerësoi me të drejtë se interesi për të mos cenuar Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, dhe nëpërmjet tij Parkun Kombëtar të Vjosës, mbivendoset ndaj interesit të realizimit të objektivave në zhvillimin e sektorit të transportit nëpërmjet ndërtimit të një aeroporti të ri.

Gjyqtarja përmend faktin se banorët e zonës në të cilën po kryhen punime për ndërtimin e aeroportit dhe operatorët turistikë, të cilët referohet të kenë shprehur miratimin e tyre për ndërtimin e aeroportit, janë sigurisht pjesë e publikut, por nuk njehsohen me të, në kuptimin që rritja që mund të pësojë çmimi i tokave në pronësi të banoreve të kësaj zone apo zhvillimi i turizmit nuk mbivendosen ndaj interesit për t’i garantuar brezave të sotem dhe të ardhshëm një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm, në të cilin Laguna e Vjosë-Nartës luan rol kyç.

Gjyqtarja Hasa vlerëson se më shumë se kërkesë nga organizatat e Këshillit të Europës sikurse Konventa e Bernës apo Bashkimi Evropian, kjo çështje duhet të përbëjë shqetësim tonin si shqiptarë, për të ruajtur të paprekura vlera të qendrueshme si natyra dhe mjedisi, dëmtimet e pakthyeshme të të cilëve nuk do të mund të kompensohen nga zhvillimet në sektorin e transportit.

Qendrimi i gjyqtares Hasa është një rast frymëzues, që na e ripërtërin shpresën në drejtësinë e paanshme, e cila nuk druhet t’u kundëvihet praktikave të dëmshme për interesa biznesi, duke mbrojtur interesin publik. Tashmë çështja ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, e cila ka një praktikë të mirë në rastet e pezullimit të ndërtimit të hidrocentraleve që dëmtonin lumenjtë. Shpresojmë që Gjykata e Lartë të ndjekë të njëjtën praktikë edhe në rastin e Aeroportit të Vlorës, dhe të ketë kurajon, vizionin dhe logjikën e Gjyqtares Blerona Hasa, e cila u dha kolegëve, shtetit dhe publikut një leksion zyrtar për rëndësinë që ka trashëgimi te brezat e ardhshëm i një mjedis të shëndetshëm dhe të përshtatshëm, si interesi publik më i lartë, për të cilin vetë ne duhet të kujdesemi.

Pergatiti Res Publica