Kali i Qyqes thërret për mbijetesë!

Le të sjellim së bashku një ndryshim pozitiv duke u përkujdesur për shkabën e vetme folezuese në Shqipëri, e cila lufton për mbijetesë. Një akt ndihmues dhe dashamirës mund të shpëtojë popullatën mjaft të kufizuar të Kalit të Qyqes (Neophron percnopterus) në Shqipëri, shkaba më besnike e vendit tonë, nga ku kemi marrë edhe emrin e lavdishëm “Vendi i Shkabave”.

Kliko në lidhjen e PayPal ose direkt në llogarinë bankare dhe jep kontributin tënd sot për të ardhmen e “Vendit të Shkabave”!

Asnjë shumë nuk është e vogël dhe çdo donator do të jetë një fener “shpresë” për këtë shkabë. Bashkarisht synojmë të mbledhim një shumë prej 4,000 Euro. Shuma synon të mbulojë shpenzimet për mirëmbajtjen e stacionit me ushqim të sigurt në një prej territoreve të Kalit të Qyqes në Shqipëri, furnizimin me ushqim të sigurt të stacionit për plot pesë muaj dhe vendosjen e një kamere monitorimi online.  Çdo shpërndarje e fondeve do të dokumentohet dhe raportohet në mënyrë transparente nga AOS, duke ju dhënë ndjeshmërinë e plotë se si kontributi juaj ndikon në këtë projekt të rëndësishëm. Vlera e kërkuar do të shkojë tërësisht për materialet e nevojshme, mbështetja me ekspertizë e staf do të jetë tërësisht vullnetare e siguruar nga ana e AOS.  

Vlen të theksohet se Kali i Qyqes është një specie e rrezikuar globalisht. Popullata e të cilës përbëhet nga më pak se 50 çifte folezues në të gjithë Ballkanin dhe vetëm 6 të tillë në Shqipëri. Ndërsa në shkallë europiane dhe globale, popullata e kësaj specie ka njohur rënie drastike në vitet e fundit.

Disa nga faktorët kryesorë që kërcënojnë popullatën e Kalit të Qyqes, në vend dhe rajon janë rreziku nga karremat helmues të vendosur në natyrë për të eliminuar grabitqarët e mëdhenj dhe të mesëm, etj., elektroshoku dhe përplasja me linjat e energjisë elektrike, pakësimi i burimeve të ushqimit, humbja/shqetësimi i habitatit, etj. Në këtë situatë, ndërtimi i stacioneve me ushqim plotësues ka rezultuar të jetë një zgjidhje efikase për mbrojtjen e Kalit të Qyqes, shkabave në përgjithësi dhe shpendëve të tjera grabitqarë. Stacioni i ushqimit për shkabat është një vend i sigurt, i rrethuar, ku depozitohet ushqim i kontrolluar në mënyrë që të konsumohet nga shkabat dhe shpendët e tjerë grabitqarë.

Duke qënë se popullata e kësaj specie te ne përfaqësohet nga shumë pak territore dhe çifte folezues, humbja e çdo individi do të ishte dramatike për popullatën. Ofrimi i ushqimit plotësues dhe të sigurt në këtë zonë, para së gjithash favorizon folezimin e suksesshëm të çiftit që ndodhet në këtë territor dhe është mbështetje për individët e rinj të lindur, të cilët aksesojnë ushqim të sigurt. Gjithashtu, individët e Kalit të Qyqes nuk detyrohen të lëvizin për të kërkuar ushqim në zona më të largëta, duke reduktuar rreziqet me të cilat mund të përballen në zona të pasigurta, si; helmimi, elektroshoku dhe shqetësimi nga njeriu. Prandaj vendet me ushqim plotësues për shkabat, janë të dobishme për parandalimin e rreziqeve dhe uljen e mortalitetit së këtyre specieve.

Nisur nga ndjeshmëria e lartë, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), bashkë me AdZM Gjirokastër ndërtuan në vitin 2022 një stacion me ushqim të sigurt për Kalin e Qyqes në Parkun Kombëtar Bredhi i Hotovës – Dangëlli. Që prej fillimit, stacioni ka funksionuar rregullisht, si dhe ka mbështetur më së miri ciftin e Kalit të Qyqes që folezon aty pranë për dy sezone të njëpasnjëshme mjaft të suksesshme, duke rritur 4 individë të rinj. Ndaj, duhet të bashkojmë forcat për të vazhduar edhe më tej suksesin e këtij stacioni me ushqim të sigurt, i cili mbështet mbijetesën e Kalit të Qyqes në vendin tonë, shkabës së vetme folezuese.

Fondi i mbledhur do të menaxhohet nga AOS, duke garantuar transparencë të lartë të shpenzimeve dhe punëve të realizuara nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit.

Bashkohu me ne në këtë mision fisnik konservues dhe bëhu pjesë e historisë së shpëtimit të kësaj shkabe mahnitëse dhe mjaft të rëndësishme për ne dhe natyrën!  

Ti. Krahë Shprese!


🐣 PayPal: https://www.paypal.me/aosalb


🐣 BANK NAME / EMRI I BANKËS: BANKA KOMBETARE TREGTARE (EURO)

ACCOUNT NAME / EMRI I LLOGARISË:  SHOQ ORNITOLOGJIKE E SHQIPERIS AOS

ACCOUNT NO / NUMRI I LLOGARISË: 425003898

IBAN: AL9420511258003898CLTJCFEURV

SWIFT: NCBAALT


🐣 BANK NAME / EMRI I BANKËS: BANKA KOMBETARE TREGTARE (ALBANIAN LEK)

ACCOUNT NAME / EMRI I LLOGARISË:  SHOQ ORNITOLOGJIKE E SHQIPERISE AOS

ACCOUNT NO / NUMRI I LLOGARISË: 425003898

IBAN: AL8520511258003898CLTJCLALLB

SWIFT: NCBAALT


Contact / Kontakt: aos@aos-alb.org