Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Universiteti Norvegjez Nord hapin aplikimin për kursin e njohjes dhe përcaktimit në natyrë të Shpendëve të Shqipërisë.
Ky kurs zhvillohet në kuadër të programit të ndërtuar nga Universiteti Norvegjez Nord, në bashkëpunim me AOS dhe PPNEA, për formimin e të interesuarve në fushën e njohjes së biodiversitetit, përkatësisht për grupet e shpendëve dhe gjitarëve. Programi konsiston në realizimin e përvitshëm të praktikave në terren si dhe dhënien e njohurive teorike, të mbështetura në mënyrë të vazhdueshme nga faqja e internetit www.birdid.no e ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim nga Universiteti Nord. Përveç faqes, Universiteti Nord ka zhvilluar dhe aplikacioni përkatës për celularët “smart” në mënyrë që të lehtësojë përdorimin sa më praktik të programit.
Qëllimi
Qëllimi i kësaj thirrje është përzgjedhja e të interesuarve për kursin praktik për shpendët ndërsa qëllimi i kursit është formimi i personave të përzgjedhur në njohjen e shpendëve të egër në natyrë.
Afati i fundit i aplikimit: 15 mars 2018
Data e fillimit të kursit: 28 Mars 2018
Data e përfundimt të kursit: 31 Shtator 2018
Kohëzgjatja: 30 ditë. 3-5 ditë teorike do të zhvillohen duke filluar nga data 28 mars 2018, ndërsa ditët e praktikave në terren do të zhvillohen në fundjavë (të shtunën dhe të dielën) duke filluar nga data 31 mars deri në 31 shtator 2018. Tabela kohore e programit mund të përshtatet në varësi të kushteve atmosferike ose shkaqeve të tjera domethënëse.
Kush mund të aplikojë?
- Çdo dashamirës i natyrës që është mbi 18 vjeç dhe ka përfunduar shkollën e mesme
- ose që është të paktën 25 vjeç dhe ka së paku 5 vite përvojë pune (në çfarëdolloj sektori).
- Studentë të Universiteteve që kanë interes të veçantë në fushën e ornitologjisë.
Kushtet e pjesëmarrjes në kurs
- Dorëzoni të plotësuar formularin e aplikimit online
- Aplikantët e përzgjedhur duhet t’i nënshtrohen një provimi informal online nëpërmjet një linku që do të dërgohet nga Universiteti Nord. Rezultati i këtij provimi nuk u dërgohet aplikantëve dhe nuk është kusht për përzgjedhjen e tyre ndonëse pjesëmarrja në provimin informal eshte detyruese për cdo pjesëmarrës në këtë kurs.
- Aplikantët e përzgjedhur janë të detyruar t’i nënshtrohen sërish provimit përfundimtar për zërat dhe imazhet.
Numri maksimal i pjesëmarrësve: 25 vetë
Ku do të zhvillohet praktika?
Pjesa më e madhe e praktikës do të kryhet në vizita një-ditore në zona në afërsi të Tiranës si Parku i Liqenit të Tiranës, Mali i Dajtit, Bisht-Pallë – Erzen. Po kështu praktika do të organizohet edhe në një apo dy fundjava në zona më të largëta si Parku Kombëtar Natyror i Prespës dhe Zona e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Si zhvillohet një ditë trajnimi
- Dita e trajnimit në terren mund të jetë, në varësi të zonës, gjysëm ditore (08:00-12:00) ose e plotë (08:00-16:00),
- Në trajnimet dy ditore, dita e trajnimit mund të nisë edhe më herët për të përfituar sa më shumë nga orët e mëngjesit,
- Në fund të çdo dite të trajnimit, secili pjesëmarrës plotëson një formular mbi mbarëvajtjen e ditës së trajnimit,
- Në ditë të caktuara, për shpendët e natës, praktika do të kryhet edhe gjatë orëve të mbrëmjes
- Pjesëmarrësit pritet të përgatiten për çdo ditë të ardhshme të trajnimit në terren duke lexuar secili përshkrimin e 5-10 specieve kryesore,
- Lëvizja për në zonën e trajnimit bëhet nëpërmjet automjeteve private.
Çertifikimi
- Kursantët të cilët do të kalojnë provimet përkatëse do të pajisen me çertifikatë nga Universiteti Norvegjez Nord, i cili do t’u dhurojë edhe një bluzë me logon e tij.
- Aplikanti i përzgjedhur duhet të marrë pjesë të paktën 10 ditë në praktikën në terren.
- Trajnimi do të kryhet nga ornitologë profesionistë nga AOS dhe PPNEA.
Mjetet e nevojshme:
- Laps dhe bllok shënimesh (duhet t’i sigurojë vetë kursanti)
- Udhëzues i Shpendëve të Shqipërisë (Do t’u dhurohet kursantëve nga organizatorët)
- Dylbi që duhet të sigurohen nga vetë kursantët.
Kostot e trajnimit
- Kursi, provimi dhe çertifikata ofrohen pa pagesë
- Kostot e praktikës në terren (transport, ushqim dhe akomodim) duhet të mbulohen nga vetë kursanti.
Për cdo pyetje apo paqartësi, ju lutem n’a shkruani në këto adresa e-maili: taulant.bino@aos-alb.org dhe m.topi@ppnea.org
NB. Vendet janë të kufizuara për 25 kursantë, prandaj ju lutem të mos prisni afatin përfundimtar për të aplikuar. Pjesëmarrësit që nuk do të përfshihen si kursantë në këtë kurs, do të përfshihen në listën e pritjes për vitin 2018!