Tirana Miraton Planin e Veprimit për Biodiversitetin

Plani i Veprimit per Biodiversitetin Bashkia TiraneHartuar nga AOS – Një strategji për një qytet të qëndrueshëm dhe me jetë të egër

Në fund të vitit 2024, Bashkia Tiranë miratoi zyrtarisht Planin Vendor të Veprimit për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Biodiversitetit, një dokument strategjik i hartuar në bashkëpunim me Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe një ekip ndërdisiplinor ekspertësh në biodiversitet, mjedis, planifikim urban dhe ekologji.

Ky plan përbën dokumentin e parë të këtij lloji për një bashki shqiptare, duke vendosur një standard të ri për planifikimin e qëndrueshëm urban dhe menaxhimin e natyrës brenda zonave urbane dhe kufirit administrativ të Bashkisë Tiranë. Ai është zhvilluar në përputhje me objektivat e Konventës për Diversitetin Biologjik (CBD), Kornizën Globale të Biodiversitetit pas-Kunming-Montreal, si dhe strategjitë e Bashkimit Europian për biodiversitetin dhe “Qytetin e Gjelbër”.

Çfarë përfshin Plani i Biodiversitetit për Tiranën?
Plani synon të mbrojë dhe rivitalizojë biodiversitetin në qytet përmes prioriteteve të qarta, objektivave të matshme dhe masave konkrete për periudhën 2024–2030. Disa nga komponentët kyç përfshijnë:

  • Identifikimi dhe vlerësimi i habitateve të rëndësishme brenda territorit të Bashkisë Tiranë – duke përfshirë lumenjtë e brendshëm, parqet natyrore, sipërfaqet pyjore dhe zonat e gjelbëra urbane;
     Zonimi ekologjik i qytetit dhe përcaktimi i “korridoreve ekologjike” që mundësojnë lidhjen e habitateve të fragmentuara;
  • Veprime për ruajtjen e faunës urbane – duke përfshirë mbrojtjen e shpendëve që folezojnë në qytet, amfibëve dhe insekteve të rëndësishme për shëndetin ekologjik;
  • Zhvillimi i sistemeve të monitorimit dhe raportimit për biodiversitetin urban, për të garantuar ndjekjen e progresit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të ndërhyrjeve;
  • Përfshirja e komunitetit dhe edukimi mjedisor, si pjesë thelbësore për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe ndërtimin e një kulture të bashkëjetesës me natyrën.

Ky plan vendos Tiranën në rrugën për t’u bërë një model i qytetit që mendon dhe vepron për natyrën. Ai është një shembull frymëzues për bashkitë e tjera në Shqipëri dhe më gjerë, që kërkojnë të ndërtojnë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse me mjedisin.

 

Plani i Veprimit per Biodiversitetin Bashkia Tirane

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *