Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania) janë dy organizatat, palë të interesuara, që i janë bashkuar padisë së 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë përshfuqizimin e Ligjit 21/2024 “per Zonat e Mbrojtura”. Avokatët tanë nga Qendra Respublica i kërkuan Gjykatës Kushtetuese “ta shpallë këtë ligj të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, dhe të vendosë shfuqizimin e tij”. AOS dhe EcoAlbania përfaqësojnë njëkohësisht mendimin e shumë organizatave të tjera të shoqërisë civile me fokus në mbrojtjen e natyrës.
Për ne si organizata, Ligji 21/2024 i miratuar nga Kuvendi i Shqipqërisë, duhej të titullohej Ligji i Urbanizimit të Zonave të Mbrojtura dhe kurrësesi Ligji për Zonat e Mbrojtura. Ligji sjell regres në mbrojtjen e ZM-ve dhe të biodiversitetit dhe vendos interesin ekonomik afatshkurtër mbi interesat afagjata të ruajtjes së larmisë biologjike. Ligji është miratuar nëpërmjet një procesi jo transparent dhe në shkelje të plotë të Konventës së Aarhusit, Konventave të tjera dhe Direktivave Europiane të Habitateve dhe të Shpendëve të Egër.
Shoqatat nxorën në pah në Gjykatë se Ligji 21/2024 lejon tashmë “Turizmin e Ekselencës” dhe të infrastrukturës mbështetëse (aeroporte, autostrada, etj) në cdo zonë të mbrojtur përshirë Parqet Kombëtare që janë kryeqendrat e biodiversitetit të Shqipërisë dhe rajonit europian. Jo vetëm kaq, ne treguam se Ligji lejon këto zhvillime pikërisht në Zonat Qëndrore të Parqeve Kombëtare dhe Natyrore. Me pak fjalë, ligji 21/2024 mund të lejojë ndërtimin e hoteleve dhe infrastrukturës mbështetëse si aeroporte, autostrada etj në qendër të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Butrintit, Prespës etj. Kjo nuk është mbrojtje por urbanizim! Nga ana tjetër, procesi këshëllimor i ndjekur nga Kuvendi ishte një farsë dhe aspak transparent, pavarësisht dëgjesave të kryera nga Kuvendi. Ligji miratuar prej Kuvendit, është në të vërtetë drafti i Këshillit të Ministrave. Ai ndryshon thuajse 100% nga drafti fillestar i ndarë me Shoqërinë Civile. Ne jemi të bindur se argumentimi ynë tregoi se ligji 21/2024 përbën shkelje serioze të parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës, pjesëmarrjes publike dhe ndarjes së pushteteve.
Mbështetur në këtë argumentim të fortë të paraqitur, besojmë se Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë në lartësinë që i takon dhe të shfuqizojë Ligjin 21/2024 e pa ndikuar nga politika. Në fund të fundit, ky nuk është një vendim për organizatat por për dinjitetin tonë njerëzor, për mbrojtjen e shëndetshme të kësaj natyre dhe mjedisi që na e kanë lënë të parët dhe duhet tua trashëgojmë, në gjendje edhe më të mirë, brezave të ardhshëm. Mjedisi dhe natyra nuk janë të politikës por të shqiptarëve!

