Deklaratë nga Forumi për Zonat e Mbrojtura 2023 Tiranë, 26 Janar 2023

Ne, 52 Organizata të Shoqërisë Civile, kombëtare dhe ndërkombëtare, që veprojmë në fushën e mbrojtjes së natyrës, institucione akademike-kërkimore të shkencave të natyrës, të mbledhura më 26 Janar 2023, në Tiranë në “Forumin për Zonat e Mbrojtura 2023”, diskutuam mbi sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e natyrës në Shqipëri. Forumi solli para pjesëmarrësve dhe analizoi kauzat e ngritura për mbrojtjen e natyrës, hapat e ndërmarrë dhe punën e palodhshme të organizatave në drejtim të mbrojtjes së Zonave të Mbrojtura ligatinore qe njihen si vatrat më të pasura të natyrës shqiptare, europiane dhe asaj botërore. 

Zonat e Mbrojtura në tërësi dhe kryesisht ato ligatinore, shquhen për vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe përfaqësojnë mundësinë më të rëndësishme për zhvillimin e vendit mbi bazën e një modeli ekonomik të qëndrueshëm. Megjithatë, sot këto ekosisteme po kërcënohen gjithnjë e më tëpër nga zhvillime dhe plane të paqëndrueshme që cënojnë në mënyrë të pakthyeshme tërësinë ekologjike të tyre. Këto zhvillime po mbështeten së fundmi edhe me politika dhe veprime që sjellin zvogëlim të sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura ligatinore, mos-respektim të standarteve mjedisore në veprimtari të ndryshme ekonomike duke sjellë humbje dhe degradim të habitateve natyrore. Të gjitha këto veprimtari të paqëndrueshme do të kenë ndikim të pakthyeshëm negativ  në integritetin ekologjik të Zonave të Mbrojtura ligatinore, në larminë biologjike të vendit në përgjithësi dhe përbëjnë një shqetësim madhor për ne, komunitetin e mbrojtjes së natyrës dhe donatorët e përfshirë në fushën e mbrojtjes së natyrës. Nga ana tjetër, cënimi i Zonave të Mbrojtura me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare pengon qartësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në mënyrë të veçantë, Ne, theksojmë shqetësimet e mëposhtme:

     

      1. Habitatet natyrore dhe të modifikuara në Zonat e Mbrojtura janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrueshme ekonomike, sikurse urbanizimi rezidencial dhe ai në funksion të turizmit masiv, resortet e planifikuara/zhvilluara në Parkun Kombëtar Butrint, ndërtimi i zonës rezidenciale dhe të hotelerisë në Rezervatin Natyror të Menaxhuar Kune-Vain-Tale-Patok-Fushë-Kuqe-Ishëm, ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në Zonën e Pejzazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, investimet strategjike në formën e bujqësisë intensive në Divjakë-Karavasta, hidrocentralet në Zall-Gjocaj, Valbone, Cem etj.

      1. Zvogëlimi i Zonave të Mbrojtura ligatinore nëpërmjet Vendimeve të Këshillit të Ministrave Nr. 59/2022, Nr.60/2022 dhe Nr. 694/2022, si dhe të tjera në proces,  janë tejet negative për larminë biologjike kombëtare. Këto vendime cënojnë integritetin ekologjik të thuajse çdo ZM-je ligatinore bregdetare me mbrojtje kombëtare dhe ndërkombëtare, fragmentarizojnë ZM-të dhe habitatet e tyre, sjellin humbje të habitateve dhe specieve, si dhe krijojnë precedentin e rrezikshëm, që sa herë të ketë interesa private dhe ekonomike të paqëndrueshme, ZM-të do të tkurren për t’i lënë vend këtyre interesave;

      1. Ndikimet negative lejohen nga kuadri ligjor dhe institucional jo i plotë, zbatimi sipërfaqësor i tij dhe mungesa e  bashkërendimit institucional. Kjo sjell vendimmarrje kundër mbrojtjes së natyrës, mos-respektim të standarteve mjedisore të vendit, rritje të krimit mjedisor, mungesë transparence në vendimmarrje, si dhe keqmenaxhim të burimeve natyrore në vend.

    Në përfundim, Ne, 52 Organizata të Shoqërisë Civile, kombëtare dhe ndërkombëtare, që veprojmë në fushën e mbrojtjes së natyrës, institucione akademike-kërkimore të shkencave të natyrës, kërkojmë nga institucionet politikë-bërëse/vendimmarrëse dhe ato ligjzbatuese të vendit, nga Këshilli i Ministrave, Këshilli Kombëtar i Territorit, Komiteti i Investimeve Strategjike, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Brendshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit që çështja e ruajtjes së natyrës të kthehet në përparësi, (i) të ndalet vendimmarrja e gabuar në zona kyçe të biodiversitetit, (ii) të luftohet krimi mjedisor nga institucionet, (iii) të rritet transparenca dhe qëndrueshmëria në vendimmarrje; (iv) të rriten kapacitetet profesionale në drejtim të monitorimit, studimit dhe mbrojtjes së natyrës në institucionet e linjës; (v) punohet në drejtim të monitorimit dhe vlerësimit të statusit për habitatet dhe speciet me rëndësi kombëtare/ndërkombëtare, si dhe (vi) të forcohet më tej bashkëpunimi me Shoqërinë Civile për një vendimmarrje sa më të qëndrueshme. 

    OSHC-të dhe institucionet akademike janë të gatshme të bëhen pjesë e debateve konstruktive për hartimin e politikave në mbrojtje të natyrës në mënyrë që politikat dhe programet të jenë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse e përfaqësuese për të gjithë grupet e interesit.

    Pjesëmarrësit në Forumin për Zonat e Mbrojtura 2023.

    Tiranë, 26 Janar 2023.

    #DeklaratëForumZM2023 #StatementPAForum2023

    Përfaqësues të instuticoneve akademike-kërkimore

    1)  Prof.Dr. Ferdinand Bego – Departamenti i Biologjisë – Fakulteti i Shkencave të Natyrës;

    2) Dr. Ina Vejsiu – Zv. Dekane për Marrëdhënie me Publikun dhe Bashkëpunim Institucional – Fakulteti i Shkencave Pyjore;

    3) Dr. Gentjan Hykaj – Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit – Universiteti Polis

    Organizatat e Shqërisë Civile dhe institucionet akademike-kërkimore

       

      1. AOS – Shoqata Ornitologjike e Shqiperisë; 
      2. Eco Albania – Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri;
      3. Res Publica; 
      4. Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit; 
      5. VIS Albania – Volontariato Internazionale per lo Sviluppo; 
      6. COSV Albania – Cooperazione per lo Sviluppo; 
      7. CISP-Sviluppo dei Popoli VIS Albania; 
      8. CLE – Centre for Legal Empowerment;
      9. GO2 Albania; 
      10. Universiteti Polis – Departamenti i Planifikimit dhe Mjedisit; 
      11. FSHN – Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës; 
      12. EDEN – Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim; 
      13. PPNEA – Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri; 
      14. CELIM Shqipëri; 
      15. Milieukontakt Shqipëri; 
      16. REC Shqipëri – Qendra Burimore e Mjedisit; 
      17. WWF Adria; 
      18. ACEG – Albanian Centre for Environmental Govenrnance; 
      19. BOA – Qendra Shpendët e Shqipërisë; 
      20. North Green Association; 
      21. Well Point – Kujdes për të gjithë; 
      22. All Green Centre; 
      23. Agri-En – Shoqata e Bashkuar Agro-Mjedisor; 
      24. ETMI – Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit; 
      25. INLSH – Instituti për Ndryshim dhe Lidership në Shqipëri; 
      26. Agro Puka; 
      27. Shoqata Alpin;
      28. Forumi Shqiptar Liqeni i Shkodrës; 
      29. New Bridges;
      30. Forumi i Mendimit te Lire; 
      31. H2H Foundation; 
      32. SDI – Social Development Invesment; 
      33. MKEZH – Shoqata “Multifunksionale për Kulture, Edukim dhe Zhvillim”;
      34. Qendra Green Vision; 
      35. SEEP – Social Education for Environment Protection; 
      36. QSNN – Qendra Sociale Ne Ndihme te Njerezve ne Nevonje; 
      37. Shoqata Ekologët për Rajonin;
      38. Nisma e Luleve; 
      39. Mjedisi dhe Komuniteti; 
      40. RurAL; 
      41. Lëvizja Rinore për Demokraci; 
      42. Organizata Menv Group; 
      43. Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale; 
      44. CERCI-Edukimi Komunitar për të Drejtat, Kulturë, Integrim; 
      45. Federata e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave Qarku Kukës; 
      46. Miqësia Ulëz; 
      47. Eco Partners for Sustainable Development; 
      48. New Impact; 
      49. MMZHT – Mbrojtja e Mjedisit dhe Zhvillimi i Turizmit,
      50. GAIA,
      51. New Impact Association.