Grupimi i Organizatave Mjedisore vendase, në vijim të letrës së hapur drejtuar Kryeministrit Rama, më 1 Shkurt 2021 (linku i letrës) nga po keto organizata mjedisore vendase si dhe disa organizata të huaja dëshiron të reagojë sërish sot mbi deklaratën e Ministrit Klosi më 4 shkurt 2021, për debatin midis shoqërisë civile dhe qeverisë shqiptare lidhur me vendimarrjen për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës

Ministri Klosi, në këtë intervistë, cilëson debatin mbi aerportin ndërkombëtar të Vlorës si të pavërtetë, thekson se gjurma e aeroportit të propozuar ndodhet mbi një zonë që ka qenë historikisht aeroport, shton më tej se zona Vjosë-Nartë nuk është zonë e mbrojtur por Peizazh i Mbrojtur dhe së fundi i referohet mbledhjes së Këshillit të Kontrollit të Territorit (KKT) për një vendim që siguron vazhdimësinë e aeroportit të Vlorës brenda zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Në vijim, sikurse e kemi theksuar dhe në letrën e datës 1 Shkurt 2021, drejtuar Kryeminsitrit Rama, organizatat mjedisore i mëshojnë fakteve të mëposhtëme:

 

  1. Debati mbi aeroportin e propozuar të Vlorës nuk është i pavërtetë! Përkundrazi, ai është një nga debatet më të forta për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri që prej vitit 1990!

Grupimi i shoqatave mjedisore thekson: pikë së pari se vendimarrja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës është një ndër debatet mjedisore më të forta që prej instalimit të demokracisë në Shqipëri. Qeveria kerkon të ndërtojë një aerorport brenda sipërfaqes së zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Kjo zonë është njëkohësisht Zonë Kryesore e Biodiversitetit, Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin, Zonë Kandidate për Rrjetin Emerald dhe zonë e propozuar Natura 2000. Zona strehon një larmi biologjike të jashtëzakonshme dhe është një stacion vendqëndrimi jetik për qindra mijëra shpendë që përdorin rrugën e shtegtimit të Adriatikut Lindor. Shoqatat janë të sigurta se ky investim është shkatërrimtar jo vetëm për zonën Vjosë-Nartë por edhe për gjithë rrjetin ekologjik të zonave të mbrojtura ligatinore bregdetare që sot sigurojnë të ardhura shumë të mira për banorët vendas dhe për turizmin në Shqipëri.

 

  1. Ndikimi në mjedis i Aeroportit të propozuar të Vlorës është krejtësisht i ndryshëm dhe shumë më i fortë nga ndikimi i një pistë jo-funksionale të avionëve luftarakë!

“Aeroporti” i mëparshëm i Akërnisë ka qenë jo-funksional që prej viteve 1990. Edhe përpara kësaj përiudhe, aeroporti në fjalë ka qenë vetëm një pistë fluturimesh me përdorim sporadik për një numër shumë të vogël fluturimesh jo civile. Ndërkaq aeroporti i propozuar i Vlorës është i nivelit ndërkombëtar, mjaft më i madh se aeroportin e Rinasit. Për pasojë ndikimi i këtij aeroporti të ri është kryekëput i ndryshëm nga një pistë avionësh jo-funksionale.

 

  1. Aeroporti i Vlorës është sot pjesë e Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë!

Ndryshe nga sa tha Ministri Klosi, gjurma e aeroportit të Vlorës është pjesë e Zonës së Mbrojtur Vjosë Nartë. Bazuar në Nenin 14 të Ligjit 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, Pejzazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është një ndër kategoritë e zonave të mbrojtura të Shqipërisë, përkatësisht kategoria e V-të e tyre. Pra aeroporti propozohet të ndërtohet në një sipërfaqe që është pjesë e sistemit të zonave të mbrojtura të Shqipërisë.

 

  1. Vendimi i KKT-së për vazhdimësinë e aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë është jo-zyrtar dhe jo-transparent!

Ministri Klosi shprehet se Këshilli i Kontrollit të Territorit ka marrë një vendim për vazhdimësinë e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Nëse vendimi flet për vazhdimësi, ai është nul nga pikëpamja juridike, sepse Ligji 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura” nuk parashikon vendime të KKT-së për vazhdimësinë e përdorimeve të territorit. Me shumë mundësi Ministri i referohet një vendimi të pazbardhur, pra jo zyrtar, për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë duke e hequr sipërfaqen e aeroportit nga sistemi i zonave të mbrojtura të Shqipërisë. Nëse kjo është e vërtete kemi të bëjmë me një vendimarrje jo-transparente. Të drejtën për ndryshim të sipërfaqes, Neni 36 i  Ligjit 81/2017 ia jep Këshillit të Ministrave pas propozimit të Ministrit. Dhe ndryshimi duhet të paraprihet me këshillim publik dhe opinione të institucioneve shkencore. Deri më sot, ne, publiku i interesuar, nuk jemi në dijeni ta asnjë vendimi të Këshillit të Ministrave, të as edhe një këshillimi publik për këtë qëllim dhe aq më pak të opinionit pozitiv nga institucionet shkencore të vendit.

Mbështetur në këto fakte, grupimi i 15 organizatave mjedisore dëshiron të theksojë edhe një herë se debati për vendimarrjen lidhur me aeroportin e Vlorës është themelor për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri zhvillimin e qendrueshëm të vendit dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ndaj dhe shoqëria civile shprehet e gatshme për të diskutuar me ekspertët qeveritarë për vendndodhje të tjera që nuk kanë ndikime kaq të forta mjedisore.

Ky proçes diskutimi apo këshillimi duhet të jetë transparent dhe në respekt të plotë të legjislacionit mjedisor sidomos atij të zonave të mbrojtura, të larmisë biologjike, vlerësimit strategjik mjedisor për planin e transportit, vlerësimit të ndikimit të thelluar në mjedis të një aeroporti ndërkombëtar si dhe detyrimeve të Shqipërisë për të respektuar konventat ndërkombëtare mbi natyrën dhe faunën e egër.

Shoqëria civile përfiton nga rasti të ritheksojë se çdo vendimarrje e derisotme mbi aeroportin e propozuar të Vlorës nuk ka qenë transparente. Kjo mungesë transparence i jep organizatave mjedisore të drejtën e ankimimit administrativ dhe gjyqësor.

Së fundi, organizatat mjedisore mbeten në pritje të përgjigjes nga qeveria lidhur me letrën e datës 1 Shkurt 2021 drejtuar Kryeminsitrit të vendit, Z. Rama për rikonsiderimin e vendndodhjes së Aeroportit të Jugut. Organizatat janë kundër ndërtimit të aeroportit në zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

 

Ekipi për Shpëtimin e Jetës së Egër në Shqipëri (Albanian Wildlife Rescue Team)

Fondi Mbarë Botëror për Natyrën (WWF Adria)

Grupimi Ekolëvizja, Shqipëri

Instituti i Politikave Mjedisore, Shqipëri (IEP)

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA)

Katër Putrat (FOUR PAWS)

Milieukontakt Shqipëri

Qendra Burimore e Mjedisit (REC), Shqipëri

Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN), Shqipëri

Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)

Qendra Shpendët e Shqipërisë (Birds of Albania)

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)

Shoqata për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM)

Shoqata Mbrojtja dhe Zhvillimi Mjedisor e Social-ILIRIA, Shqipëri

 

 

Share This