Të dashur miq e ndjekës të AOS,
Jemi shumë të lumtur t’Ju ftojmë juve, miqtë e familjet tuaja, për të marrë pjesë në ditën simbol të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, “Dita e Pelikanit Kacurrel 2019”, në ambientet e Qendrës së Informacionit të Parkut Kombëtar, nesër më 11 Maj 2019, ora 09:30.
Ky aktivitet celebrues synon ndërgjegjësimin në nivel kombëtar për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe të Pelikanit kaçurrel. Njëkohësisht, aktiviteti do të promovojë turizmin e qëndrueshëm dhe shumëllojshmërinë e produkteve lokale e tradicionale të zonës Divjakë-Karavasta nëpërmjet panairit lokal, i cili do të ekspozojë vlerat unike të trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të zonës.
Panairi do të promovojë shumëllojshmërinë e bizneseve lokale dhe të prodhimeve vendase agro-bujqësore, kulinare dhe etnografike, duke ofruar një eksperiencë autentike të shijimit gastronomik. Ky event pritet të mbledhë së bashku bizneset lokale, fermerët, zejtarët, autoritetet vendore e qëndrore si dhe grupe të tjera interesi.
AOS – Albanian Ornithological Society, në bashkëpunim me ADZM-Fier, po punojnë ngushtësisht për ringritjen e popullatës së Pelikanit kaçurrel në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, e vetmja shtëpi folezuese e këtij shpendi në territorin shqiptar.
Në këtë linjë, do të ishte një nder të kishim prezencën tuaj në këtë ditë celebruese.
Ejani të festojmë së bashku dhe, mbi të gjitha, të lartësojmë vlerat e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore!
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Let’s Make Divjaka Natural Again!”, financuar nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet e Kërcënuara (CEPF) dhe zbatuar nga AOS në partneritet me PSEDA-Iliria, ResPublica dhe Horizont EU.
📌 #DitaePelikanit
📌 #PelicansDay
📌 #DalmatianPelican
📌 #Divjaka
📌 #ParkuKombetarDivjakeKaravasta
