[Tiranë, Data 20/09/2023] – Një hap i drejtë për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë sonë të burimeve natyrore, Gjykata Administrative e Apelit ka pranuar të legjitimojë 11 organizata të shoqërisë civile, të njohura për aktivitetin e tyre pro mjedisit, për të kundërshtuar vendimet që kanë zvogëluar sipërfaqet dhe kanë ulur statusin e disa prej Zonave të Mbrojtura të vendit tonë.
Dy nga Vendimet që janë kundërshtuar gjyqësisht, VKM nr. 59, datë 26.01.2022, “Për Miratimin e Ndryshimit të Statusit dhe Sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore të Parkut Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore” dhe VKM nr. 60, datë 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore të Parkut të Menaxhuar/Natyral (Kategoria IV), si dhe Miratimin e Ndryshimit të Statusit të Sipërfaqeve Ekzistuese të Zonave të Mbrojtura që i përkasin kësaj Kategorie”, kanë ngritur shqetësime të mëdha për OSHC-të mjedisore, dhe publikun e gjerë, lidhur me pasojat afatgjata për Zonat e Mbrojtura. Me njohjen e legjitimitetit të 11 organizatava, gjykata njeh rëndësinë e zërit të shoqërisë civile në çështjet e interesit kombëtar mjedisor.
Organizatat 11 të shoqërisë civile që janë pale të padisë dhe të autorizuara për të ndjekur keto çështje janë:
-
- AOS ALB
- ECO ALBANIA
- PPNEA
- EDEN
- MILIEKONTAKT
- REC
- IMPETUS
- ACEG
- KUJRI
- RES PUBLICA
- QENDRA PËR FUQIZIMIN LIGJOR
Qendra ligjore Res Publica, në bashkëpunim me organizatat e përmendura të shoqërisë civile, fton publikun dhe cdo pale tjetër të interesuar të mbështesin dhe të marrin pjesë aktivisht në këtë litigim strategjik. Duke synuar sundimin e ligjit, transparencën, llogari-dhënien dhe mirë-qeverisjen dhe duke shqyrtuar këto vendime në dritën e lupën e kuadrit ligjor ekzistues mjedisor dhe konventave ndërkombëtare, synojmë të mbrojmë të drejtat e trashëgueshme për të ruajtur dhe shijuar pasuritë tona natyrore për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.