Platformë e Re Folezimi për Dallëndyshen e Detit Ballëbardhë

Pranvera është periudha më e shumëpritur e vitit për kundruesit e shpendëve dhe adhuruesit e natyrës. Ajo shënon rikthimin e shumë llojeve të shpendëve që kthehen për të folezuar në Shqipëri. Një nga këto lloje është edhe dallëndyshja e detit më e vogël në Evropë, Dallëndyshja e Detit Ballëbardhë (Sternula albifrons). Në Shqipëri, ky lloj haset në zona bregdetare siç është Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Habitatet e folezimit të saj  janë reduktuar ndjeshëm në Divjakë-Karavasta dhe Shqipëri si pasojë e ndryshimeve klimatike globale, rritjes së nivelit të ujit dhe shtimit të erozionit të plazheve të vogla ranore në lagunë. Nisur nga ky fakt, në prill të vitit 2021, AOS ndërtoi një platformë folezuese për Dallëndyshen e Detit Ballëbardhë në Lagunën e Karavastasë, e cila pati rezultate mjaft të mira (mbi 100 çifte folezuese) duke shënuar rastin e parë të suksesshëm të platformave të folezimit të dallëndysheve të detit në Shqipëri.

Disa ditë më parë, më 26 mars, AOS ndërtoi platformën e dytë për Dallëndyshen e Detit Ballëbardhë në një ishull në Lagunën e Karavastasë, duke shtuar kështu sipërfaqen e mundshme të folezimit me 20 m2. Platforma u ndërtua pranë ishullit të Dallëndysheve të Zakonshme të Detit (Sterna hirundo). Ky ishull është menaxhuar më parë për të marrë bimësi për shtretërit e folezimit të Pelikanit Kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe për të shtuar hapësirën e folezimit për Dallëndyshen e Zakonshme të Detit.

Besojmë se platforma e re do të jetë po aq e suksesshme sa e para. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë platformën dhe ishullin në muajt në vijim dhe do t’ju sjellim përditësime mbi ecurinë e saj.

Ky aktivitet u mundësua nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet Kritike (CEPF), në kuadër të projektit “Ruajtja e Integritetit Ekologjik dhe Biodiversitetit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta”.