Pas suksesit të BirdID Albania 2018, AOS (Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë) hap thirrjen për aplikime për të gjithë dashamirësit e shpendëve, natyrës dhe jetës së egër në Shqipëri, për BirdID Albania 2020, Kursi II për identifikimin e shpendëve.

Kursi ka për qëllim të certifikojë njohuritë në identifikimin e shpendëve të egër nëpërmjet:

  • Vëzhgimit të shpendëve në mjedise natyrore dhe artificiale;
  • Identifikimit të shpendëve në terren nëpërmjet imazheve pamore;
  • Identifikimit të shpendëve në terren nëpërmjet zërave, thirrjeve dhe këngës:
  • Identifikimit të shpendëve të vegjël nëpërmjet unazimeve dhe manipulimit në terren;
  • Përdorimit të programit BirdID online të zhvilluar nga Nord University (Norvegji);
  • Provimit on-line për imazhet dhe zërat dhe
  • Certifikimit nga Nord University, Fakulteti i Shkencave Natyrore (Universiteti i Tiranës) dhe AOS (Albanian Ornithological Society).

Programi udhëhiqet nga dy trainierë/mësues, anëtarë të AOS dhe të certifikuar nga Nord University (Norvegji). Mësuesit janë Dr. Taulant Bino, me 30 vite përvojë në studimin e shpendëve të egër dhe Msc. Erald Xeka, ornitolog i apasionuar dhe udhëheqës i disa programeve të monitorimit të shpendëve të egër.

Kursi i jep rëndësi të veçantë dhe ofrimit të njohurive mbi ekologjinë e biologjinë e shpendëve, përfshirë të dhëna mbi shpërndarjen, kërkesat ndaj habitatit, ushqimit të parapëlqyer, sjelljes, mënyrës së folezimit dhe statusit të ruajtjes së specieve dhe të habitateve të tyre kritike.

Ndër të tjera, ky kurs do t’Ju ofrojë dhe nuk do t’Ju limitojë interesat dhe kënaqësinë: a) për të qënë pranë natyrës, b) për t’u bërë një “birdwatcher” i ardhshëm, c) për t’u bërë një “guidë” e ardhshme në birdwatching, d) për t’u bërë një fotograf i jetës së egër, e) për të krijuar network e njohje të reja dhe mbi të gjitha, f) për të advokuar në mbrojtje të biodiversitetit dhe natyrës sonë.

Dy fjalë më shumë për programin BirdID Albania 2020

Programi konsiston në realizimin periodik të praktikave në terren (outdoor) si dhe dhënien e njohurive teorike (indoor), të mbështetura në mënyrë të vazhdueshme nga asistenca e ekspertëve tanë.

Në vijim, AOS do të zhvillojë një qasje praktike për t’Ju mësuar se si të identifikoni shpendët nëpërmjet zërit/këngës së shpendëve në peizashet natyrore. Pra, Ju do të aftësoheni jo vetëm në teknikat e vëzhgimit e identifikimit të shpendëve në natyrë por do të zotëroni edhe teknikat për identifikimin e shpendëve nëpërmjet thirrjeve/këngës.

Gjithashtu, nuk do të mungojnë seancat e praktikës në natyrë në unazimin e shpendëve. Nëpërmjet metodës së unazimit, tërësisht shkencore, mbështetet mbledhja, njohja dhe menaxhimi i informacionit të shpendëve të unazuar të cilët na ofrojnë të dhëna shumë të rëndësishme për statusin, trendet e popullatave dhe gjendjen ekologjike të ekosistemeve.

Kursi do të mbulojë pothuajse të gjitha stinët e vitit, rrjedhimisht do të mbulojë shpendët shtegtarë, dimërues dhe folezues dhe do të variojë nga ekspedita ditore e gjysëm ditore deri në ekspedita më të thelluara përgjatë fundjavave, ku do të vizitoni me ekspertët e AOS zonat ligatinore, zonat bregdetare dhe zonat malore të Shqipërisë.

 

Për më shumë informacione të detajuara, Ju lutem shihni me kujdes rubrikat më poshtë:

 

Kur përfundon afati i aplikimit?                     12 Tetor 2020

Kur lajmërohen fituesit?                                 19 Tetor 2020

Kur fillon kursi?                                               24 Tetor 2020

Kur përfundon kursi?                                      31 Maj 2021

Sa zgjat kursi?                                                 Tetor 2020 – Maj 2021

Çfarë përmban kursi?                                     30 ditë në total – (2 ditë teori dhe 28 ditë në terren)

 

Çfarë peshe zë kursi gjatë muajit?               4 ditë në muaj ose çdo dy fundjava (E Shtunë dhe e Dielë)

 

Çfarë kriteresh duhet të kenë kandidatët?

  • Të kenë mbushur moshën 18 vjeç;
  • Të kenë përfunduar shkollën e mesme[1]
  • Të kenë historik pune në çështjet e biodiversitetit ose në atë të ruajtjes dhe menaxhimit së natyrës;
  • Të demonstrojnë angazhim, vendosmëri, pasion për mbarëvajtjen dhe frekuentimin e plotë të kursit;
  • Të kenë sjellje profesionale, përgjegjshmëri e standarte të larta etike;
  • Të bashkëpunojnë me të tjerët në mënyrë pozitive dhe të sjellshme.

 

Sa persona do të pranohen?                        20/25 persona

Ku do të zhvillohet praktika?                      

  • Parku i Liqenit të Tiranës (Tiranë),
  • Parku Kombëtar i Dajtit (Tiranë),
  • Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta (Divjakë-Fier),
  • Parku Natyror Kune-Vain-Tale (Lezhë),
  • Parku Kombëtar Natyror i Prespës (Korcë),
  • Zona e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë (Vlorë),
  • Këneta e Fllakës (Durrës)
  • Liqeni i Shkodrës (Shkodër),
  • Peisazhi i Mbrojtur Lumi Buna-Velipojë (Shkodër) dhe
  • Lugina e Drinos (Gjirokastër-Dropull)

 

Si zhvillohet një ditë ekspedite?

  • Ditë e plotë (08:00 – 16:00), ose
  • Gjysëm ditore (08:00 – 12:00), ose
  • Dy-ditore Vajtje-Ardhje, ose
  • Fundjavë e Plotë        E Shtunë – E Dielë      

 

Çfarë duhet të dini tjetër?

  • Në ekspeditat dy ditore, dita e praktikës mund të nisë herët për të përfituar sa më shumë nga orët e mëngjesit kur shpendët janë veçanërisht aktivë dhe të dukshëm;
  • Në përfundim të ditës së praktikës, secili pjesëmarrës plotëson një formular mbi mbarëvajtjen e ditës së praktikës;
  • Në ditë të caktuara, për shpendët e natës, praktika do të kryhet edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
  • Lëvizja për në ekspeditat në terren bëhet nëpërmjet automjeteve private;
  • Në varësi të kushteve atmosferike, apo për arsye të tjera, mund të kemi ndryshime në planin kalendarik dhe rrjedhimisht në axhendë, i cili do t’Ju bëhet me dije më parë;
  • Kandidati/ja i/e përzgjedhur duhet të marrë pjesë në të paktën 18 ditë në praktikën në terren;

 

Cilat janë kostot e kursit?

  • Kursi ofrohet pa pagesë,
  • Shpenzimet e mundshme (transport, ushqim dhe akomodim) për ditët e terrenit jashtë Tiranës duhet të mbulohen nga vetë kursantët.

 

Vini re!!

Kandidati/ja i/e përzgjedhur janë të detyruar t’i nënshtrohen provimit përfundimtar online për imazhet dhe zërat/këngët e shpendëve në platformën e Nord Universitety (Norvegji), Bird ID – Nord University – Training.

Kandidatët e interesuar do të certifikohen nga Fakulteti i Shkencave Natyrore (Universiteti i Tiranës) dhe AOS në bashkëpunim me Nord University (Norvegji).

 

Për çdo pyetje apo paqartësi, Ju lutem n’a shkruani në adresat e-mailit si më poshtë:

Kandidati/ja kërkohet të aplikojë në faqen e dedikuar, e cila përmban formularin e aplikimit në linkun këtu, brenda datës 12 Tetor 2020. Të gjitha fushat janë të detyrueshme për t’u plotësuar.

 

Ky kurs është ideuar e konceptuar nga AOS dhe të gjithë të drejtat e autorit i takojnë AOS. 

[1] Të favorizuar do të jenë studentët e disiplinave mjedisore; biologji, biologji mjedisore, inxhinieri mjedisi, studime mjedisore, planifikim e menaxhim mjedisor, turizëm, etj.

Share This