Në 2024, në Shqipëri u organizua për herë të parë Censusi Ndërkombëtar për Shpendët Folezues në kuadrin e Skemës së Monitorimit të Shpendëve të Zakontë (CBMS), një aktivitet mjaft i rëndësishëm për monitorimin e shpendëve në vend. Ky census i përvitshëm tashmë i bashkohet skemave të tjera monitoruese në Shqipëri, por, krahas monitorimit të strukturuar të shpendëve disa herë në vit për grupe të caktuara shpendësh, ekziston mundësia për të mbledhur të dhëna gjatë gjithë vitit përmes portaleve në internet për shpendët, pa pasur kufizimie gjeografike apo speciesh. Këto portale (si p.sh. Observation.org) mundësojnë regjistrimin e vrojtimeve të shpendëve përmes “listave të plota” apo “vrojtimeve rastësore” nga cilido vrojtues shpendësh apo adhurues i natyrës. Të dhënat që grumbullohen në këto portale, nëse janë në sasi mjafueshëm të mëdha, shërbejnë si një burim i rëndësishëm informacioni për të kuptuar shpërhapjen në kohë dhe hapësirë të shpendëve.
Çfarë është EBP dhe pse është e rëndësishme të regjistrohen të dhëna në Shqipëri
Në Evropë ekzistojnë shumë portale për shpendët të cilët grumbullojnë një numër të dhëna në sasi të mëdha në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Për t’i përdorur sa më mirë të dhënat që gjenerohen nga përdoruesit e këtyre portaleve, Këshilli Evropian për Censusin e Shpendëve (EBCC) themeloi Portalin Evropian për Shpendët (Euro Bird Portal – EBP), i cili shërben si një “bankë të dhënash”, që mbledh të dhëna nga portalet e sipërpërmendura në të gjithë Evropën. EBP grumbullon çdo vit rreth 40 miljon vrojtime shpendësh të regjistruara nga 29 shtete, të cilat më pas përdoren për të prodhuar harta shpërhapjesh sipas sezoneve, harta të parashikimeve afat-shkurtra (si p.sh.: parashikimi i përhapjes së specieve invazive/aliene, parashikimi i lëvizjeve të shpendëve të egër për shkak të sëmundjeve të shpendëve, etj.), njohja e rrugëve të shtegtimit, prodhimi i grafikëve fenologjikë, etj.
Në Shqipëri, ashu si edhe në vende të tjera të Evropës Jug-lindore, vihet re mungesë e kapaciteteve dhe një numër i ulët i të dhënave cilësore të grumbulluara. Njëkohësisht, Evropa Jug-lindore është një rajon i pasur në lloje shpendësh dhe një zonë mjaft e rëndësishme në nivel Evriopian për disa lloje specifike shpendësh. Për këtë arsye dhe për të kuptuar shpërhapjen e shpendëve në të gjithë kontinentin si dhe trendet e popullatave, është e rëndësishme të regjistrohen të dhëna cilësore në këtë rajon. Në këtë kuadër, edhe të dhënat për shpendët e Shqipërisë kanë rëndësinë e tyre.
Pse janë të rëndësishme listat e plota për të siguruar të dhëna cilësore
Një listë e plotë quhet “lista e të gjitha specieve të shpendëve që një vrojtues mund të identifikojë në një vend dhe kohë të caktuar”. Ndryshe nga një vrojtim rastësor, një listë e plotë përfaqëson një aktivitet vrojtimi të shpendëve ku përfshihet lista e të gjitha specieve të vrojtuara si dhe matja e distancës së përshkuar dhe kohëzgjatja e vrojtimit. Ky dallim i bën të dhënat e listave të plota më të strukturuara dhe, rrjedhimisht, më të vlefshme për kërkim shkencor. Me vetëm pak më shumë mundim, çdo vrojtues shpendësh mund ta transformojë një vrojtim të tyre rastësor në të dhëna të strukturuara që ofrojnë shumë më tepër informacion të vlefshëm. Pra, për të plotësuar boshllëkun e të dhënave, si në Shqipëri ashtu edhe në vendet e tjera të Evropës Jug-lindore, duhen më shumë të dhëna, të cilat duhet të jenë më të strukturuara se sa vrojtimet rastësore.
Mund të gjeni më tepër informacion, detaje dhe këshilla në lidhje me listat e plota në këtë artikull.
Si mund të ndihmoni për të plotësuar boshllëkun e të dhënave
Kushdo nga ju mund të regjistrojë lista të plota në Observation.org! Sa më shumë lista të plota që mund të regjistoni, aq më shumë informacion do të kontribuoni për shpendët e zonës ku ndodheni. Nuk është e nevojshme të udhëtoni larg; mund të shkoni në vendin tuaj të parapëlqyer, si p.sh. kopshti i shtëpisë suaj, parku i qytetit, liqen që ndodhet pranë, etj. Duke regjistruar të gjitha speciet që mund të identifikoni, njëkohësisht jeni duke siguruar të dhëna me vlerë për specie të zakonta.
Të gjitha listat e plota që regjistroni në Observation.org do të grumbullohen automatikisht në portalin e krijuar për vendet e Evropës Jug-lindore (SEE lists). Ky portal përditësohet çdo 24 orë dhe aty mund të gjeni grafikë fenologjikë për të gjitha speciet e rajonit. Krahas listave që mund të regjistroni në mënyrë vullnetare në çdo kohë, ne do të dedikojmë disa fundjava çdo sezon për grumbullim intensiv të dhënash. Këto aktivitete do të zhvillohen paralelisht në të gjitha vendet e rajonit. Aktiviteti i parë do të zhvillohet në 1-2 shkurt, që përkon me Ditën Botërore të Ligatinave. Ky aktivitet është një mundësi e mirë për tu bashkuar me ne dhe për të dhënë kontributin tuaj për të plotësuar boshllëkun e të dhënave.
Kini parasysh që nuk ka rëndësi të regjistroni sa më shumë specie në listat tuaja, rëndësi ka dedikimi dhe kontributi juaj për të sigurua të dhëna cilësore për shpendët e vendit tuaj. Sfidoni veten dhe gjeni bukurinë e natyrës edhe te speciet e zakonta!