Projekt Ndërkombëtar për sigurimin e një rruge shtegtimi më të sigurt dhe për rimëkëmbjen e Kalit të qyqes në Ballkan 

Sot, më 10 tetor, në Ditën Botërore të Shpendëve Shtegtarë, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) ka kënaqësinë të ndajë me ju lajmin për nisjen e projektit “LIFE EV Safe Return”, një nismë ndërkombëtare e bashkëfinancuar nga Programi LIFE i Bashkimit Europian dhe e koordinuar nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bulgaria). Projekti bashkon 15 institucione dhe organizata nga Europa, Lindja e Mesme dhe Afrika, me një qëllim të përbashkët: të kontribuojë në rimëkëmbjen e një prej shpendëve grabitqarë më të rrezikuar të Europës përmes forcimit të masave të mbrojtjes në vendet e folezimit, përgjatë rrugëve të shtegtimit dhe në zonat e dimërimit. 

Çdo vjeshtë, Kali i qyqes largohet nga Gadishulli i Ballkanit dhe udhëton për më shumë se 5,000 kilometra drejt vendeve të dimërimit në Afrikë. Udhëtimi i tij përgjatë tre kontinenteve e ekspozon atë ndaj rreziqeve të shumta. Karremat helmues të paligjshëm, brakonazhi dhe elektroshoku në shtyllat e pasigurta të energjisë janë disa nga kërcënimet kryesore për specien. Në disa pjesë të Afrikës, shkabat po ashtu përndiqen për t’u përdorur në praktika që lidhen me besimet tradicionale. Një shpend mund të jetë i mbrojtur në folenë e tij dhe sërish mund ta gjejë vdekjen mijëra kilometra larg prej folesë. Prandaj, mbijetesa e kësaj specie varet nga veprimet e bashkërenduara për ruajtjen e saj përgjatë gjithë rrugës së shtegtimit. 

Kali i qyqes mund të shërbejë si specie ombrellë për ruajtjen e rrugëve të shtegtimit: masat për të reduktuar helmimin, për t’a bërë infrastrukturën e energjisë elektrike më të sigurt dhe për të luftuar vrasjet e paligjshme, mund të jenë në dobi edhe të shumë shpendëve të tjerë shtegtarë, që ndjekin të njëjtat rrugë dhe përballen me të njëjtat rreziqe. Sigurimi i një rrugëtimi të sigurt për këtë specie do të ndihmojë në krijimin e një rruge shtegimi më të sigurt për një gamë shumë më të gjerë speciesh. 

Dikur i përhapur gjerësisht në të gjithë Ballkanin, Kali i qyqes është zhdukur si shpend folezues nga disa vende të rajonit. Sot, në Shqipëri, Bullgari, Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur vetëm rreth 50 çifte folezuese. Pas më shumë se tre dekadash rënieje, popullata e Ballkanit ka shfaqur shenja stabilizimi në vitet e fundit. Ky progres është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm midis organizatave të ruajtjes së natyrës, institucioneve dhe komuniteteve lokale. Kjo na jep shpresë, por me një popullatë kaq të vogël, humbja e qoftë edhe një individi mund të ngadalësojë procesin e rimëkëmbjes.

Projekti “LIFE EV Safe Return” është hapi i radhës në një program afatgjatë për ruajtjen e species. Projekti do të zbatohet deri në vitin 2031 dhe do të mbështetet në masat konservuese që kanë qenë të suksesshme deri më tani, duke zgjeruar shtrirjen e tyre gjeografike dhe duke sjellë qasje të reja dhe inovative. Gjithashtu, do të çojë përpara arritjet e projektit “Egyptian Vulture New LIFE”, i cili u vlerësua me Çmimin “LIFE Citizens’ Prize” në ceremoninë e çmimeve “2026 LIFE Awards”. 

“Shenjat e para të rimëkëmbjes tregojnë se përpjekjet tona po japin rezultat. Tani duhet ta konsolidojmë këtë progres dhe ta kthejmë në një trend të qëndrueshëm. Për një shpend që udhëton për më shumë se 5,000 kilometra ndërmjet Ballkanit dhe Afrikës, kjo do të thotë se duhet të trajtojmë kërcënimet përgjatë gjithë rrugës së tij të shtegtimit. Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor: mbrojtja e shpendëve në një vend duhet të shoqërohet me masa konkrete edhe në vendet nëpër të cilat ata kalojnë dhe ku dimërojnë. Për herë të parë, si pjesë e programit tonë të konservimit, do të ndërmerren masa të posaçme në Çad, një nga vendet kryesore për dimërimin e species. Ekipi ynë ndërkombëtar do të përqendrohet në tri prioritete: reduktim i rreziqeve që shkaktojnë vdekshmëri, forcimin e popullatës së egër përmes lëshimit të shpendëve të rritur në kafaze dhe të shpëtuar dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet dhe komunitetet lokale,” thotë Dr. Volen Arkumarev nga BSPB, menaxher i projektit.

Puna e projektit do të përqendrohet në parandalimin e helmimit të faunës së egër, zvogëlimin e rrezikut të elektroshokut në Etiopi dhe Greqi, luftimin e brakonazhit, sigurimin e ushqimit të sigurt dhe reagimin e shpejtë ndaj incidenteve. Në Afrikë, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit me udhëheqësit e komuniteteve dhe praktikuesit e mjekësisë tradicionale, me qëllim reduktimin e përndjekjes së shkabave të nxitur nga besimet dhe praktikat tradicionale. Lidhja midis ekipeve konservuese në vende të ndryshme do të forcojë aftësinë e tyre për të identifikuar kërcënimet dhe për të mbrojtur shpendët gjatë gjithë ciklit të tyre vjetor. 

Në Bullgari dhe Greqi, të paktën 40 individë të Kalit të qyqes të rritur në kopshtet zoologjike europiane ose të shpëtuara në natyrë do të lëshohen në habitatin e tyre natyror. Transmetuesit GPS do t’u mundësojnë ekipeve konservuese të ndjekin lëvizjet e tyre përtej kufijve, të identifikojnë ku rreziku i vdekshmërisë është i lartë dhe të ndërhyjnë kur është e nevojshme. 

“Në Shqipëri, çdo sezon folezimi është vendimtar për shkak të numrit të vogël të individëve që përbëjnë popullatën folezuese të kalit të qyqes në vend dhe përgjegjësia jonë është të sigurojmë që këta shpendë të kenë një sezon folezimi të qetë dhe të suksesshëm. Përmes projektit “LIFE EV Safe Return”, përpjekjet tona kryesore në Shqipëri do të përqendrohen në parandalimin e vdekshmërisë së drejtpërdrejtë dhe shqetësimit të shpendëve, duke u mbështetur në përvojën dhe njohuritë e fituara gjatë punës sonë të mëparshme për ruajtjen e kësaj specieje Komunitetet dhe autoritetet lokale do të jenë pjesë thelbësore e këtyre përpjekjeve, pasi ndodhen më pranë shpendëve dhe shpesh janë të parët që vërejnë kërcënimet ose shqetësimet ndaj tyre. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e Kalit të qyqes nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e komuniteteve ku kjo specie folezon. Është një përgjegjësi që e ndajmë të gjithë. Prandaj, së bashku me grupet përkatëse të interesit, AOS do të punojë edhe për hartimin dhe nxitjen e miratimit të një plani kombëtar veprimi për mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjatë të kësaj specieje në Shqipëri,” thotë Klea Duro, koordinator projekti në Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS).

Rimëkëmbja afatgjatë e popullatës së Kalit të qyqes varet gjithashtu nga komunitetet lokale. Projekti do të punojë me fermerë, gjuetarë, roje të zonave të mbrojtura, veterinerë, mësues dhe autoritete lokale për të parandaluar kërcënimet, për të siguruar ushqim të sigurt dhe për të mbrojtur zonat e folezimit. Programet e edukimit në pesë vende do të përfshijnë më shumë se 4 000 nxënës, mësues dhe të rinj të angazhuar në ruajtjen e natyrës, duke i njohur ata me këtë specie dhe duke u krijuar mundësi për të kontribuar në mbrojtjen e saj.

Me pendët e bardha dhe fytyrën e verdhë të ndezur, Kali i qyqes ka një pamje të pagabueshme. Si një shpend që ushqehet me kërma, ai luan gjithashtu një rol të rëndësishëm ekologjik duke u ushqyer me mbetjet e kafshëve të ngordhura. Për shekuj me radhë, kjo specie ka qenë pjesë e miteve, besimeve dhe traditave në të gjithë hapësirën ku jeton. Në Egjiptin e Lashtë, Kali i qyqes nderohej si shpend i shenjtë. Ai zë një vend edhe në folklorin bullgar, ndërsa komunitetet turqishtfolëse e quajnë “akbaba”, një emërtim që lidhet me kuptimin “babai i bardhë”. Në Shqipëri dhe Greqi, ai njihet si “kali i qyqes” dhe besohet se sjell pranverën mbi krahët e tij. Prandaj, mbrojtja e Kalit të qyqes nënkupton se ruajmë jo vetëm një pjesë të rëndësishme të natyrës, por edhe një lidhje të gjallë me trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore. Duke bashkuar njerëz dhe organizata nga tre kontinente, projekti “LIFE EV Safe Return” do të punojë për të siguruar që ky shpend i veçantë të mund të vazhdojë udhëtimet e tij dhe të rikthehet i sigurt në Ballkan.

Rreth projektit

Projekti “LIFE EV Safe Return” koordinohet nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB/BirdLife Bulgaria), në partneritet me Green Balkans, BirdLife Europë dhe Azi Qendrore, Agjencia për Mjedisin Natyror dhe Ndryshimet Klimatike (NECCA), Shoqata për Mbrojtjen e ShpendĽve të Trakës (SPBT), Shoqata Helenike Ornitologjike (HOS), Shoqata Ekologjike Maqedonase (MES), Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), DOĞA (Turqi), Sahara Conservation (SCF), BirdLife Afrikë dhe Fondacioni Nigerian për Ruajtjen e Natyrës (NCF). Kopshti Zoologjik i Sofjes dhe Kopshti Zoologjik i Pragës janë partnerë të asociuar. Projekti bashkëfinancohet nga Programi LIFE i Bashkimit Europian.

Rreth Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë

Dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë është një fushatë globale që rrit ndërgjegjësimin për nevojën e ruajtjes së shpendëve shtegtarë dhe habitateve të tyre. Kjo ditë festohet dy herë në vit, në Maj dhe në Tetor, bazuar në shtegtimin sezonal në mbarë botën. Në 2026, për Tetorin data është 10 Tetor, ndërsa tema vë në pah rolin e shkencës qytetare në ruajtjen e shpendëve shtegtarë.

0 Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *